Në kushtet e një moti me temperatura të ulëta dhe në kushtet që pjesa më e madhe serrave në vendin tone janë pa ngrohje qendrore, është e domosdoshme njohja e kërkesave për temperaturë të bimëve kryesore që kultivohen në serra dhe masat që duhen marrë, edhe pse janë të njohura nga fermerët.
Temperatura e ambientit ku kultivohet domatja është shumë e rëndësishme. Kërkesat për temperaturë ndryshojnë në vartësi të fazave fenologjike. Minimumi biologjik i zhvillimit të domates është 10°C. Kur temperatura zbret nën 15°C bima ndërpret lulëzimin ndërsa kur temperatura zbret nën 10°C bima ndal rritjen, pjalmimi nuk bëhet dhe lulet zakonisht bien. Kur temperaturat janë 5 – 6 °C bima stresohet shumë, ndërsa kur zbret 1-2 °C bimët thahen. Temperaturat optimale për rritje e zhvillim janë 25-30 °C.
Trangulli duke qenë se është bimë e vendeve të ngrohta, kërkesat për temperaturë janë të mëdha. Ato ndryshojnë në vartësi të fazave fenologjike. Kur temperatura zbret nën 15 °C dhe mbi 40 °C bima ndërpret rritjen. Temperaturat optimale për rritje e zhvillim normal të bimëve janë 28-32 °C. Kur temperatura zbret nën 10 °C bima ndal rritjen dhe mund të thahet kur kjo temperaturë zgjat për disa ditë.
Speci ka kërkesa të mëdha për nxehtësi, krahasuar kjo me bimët e tjera të familjes solanace. Për rritje dhe zhvillim normal ai kërkon 18 – 25 °C. Temperatura minimale për mbirjen e specit është 13 °C. Kur ditët janë të ftohta dhe temperatura zbret nën 12 °C, fidani pëson tronditje fiziologjike. Bimët thahen nën temperaturën 0 °C. Temperaturat mbi 32 °C, kur janë të shoqëruara me lagështirë të pakët lulet e pa pllenuara dështojnë, ndërsa në temperatura të ulëta vezorja shfaqet pa pllenim (partenokarpi). Duke njohur këto kërkesa, organizohet edhe mbrojtja me masa të nevojshme.