Qarku i Beratit ka një traditë shumëvjeçare për prodhimin në sasi dhe hershmëri të perimeve në sera diellore dhe me ngrohje. Prodhojnë më së shumti domate, speca dhe tranguj, të cilat tregëtohen në pikat e grumbullimit.
Për të marr prodhime me rendiment dhe cilësi të lartë, fermerëve ju vijnë në ndihmë specialistët e Mbrojtjes së Bimëve të Drejtorisë Rajonale Elbasan, Qarku Berat. Nga monitorimet e kryera në serën e kultivuar me speca dhe tranguj në Otllak të Beratit, specialistët konstatuan prekje të lehtë nga vrugu (Pseudoperonospora capsici) dhe hiri (Leveillula taurica).
Ndërsa në serat e monitoruara në fshatrat Goriçan dhe Kozare të Bashkisë Dimal, u konstatua prekje nga krahëbardha (Trialeurodes vaporarium) në kulturat spec dhe domate. Fermerët u këshilluan për mënyrën e luftimit të prekjes nga dëmtuesit dhe kujdesin që duhet të tregojnë ndaj përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve