Tregtimi i mishit dhe nënprodukteve të tij është delikat nga pikëpamja e sigurisë ushqimore për konsumatorin. Mosrespektimi i standardeve sanitaro-veterinare mund të çojë në kontaminimin e njeriut nga sëmundje të ndryshme, shpeshherë shumë të rrezikshme. Ndër hallkat më të rëndësishme të zinxhirit të prodhimit dhe tregtimit të mishit, janë padyshim thertoret.
Në kuadër të sigurisë ushqimore, AKVMB ka marrë nën kontroll të gjitha thertoret publike dhe private në vend. Veterineri zyrtar i AKVMB nuk lejon futjen e kafshëve në thertore nëse ato nuk kanë certifikatën shëndetësore të lëvizjes dhe janë pa matrikull. Karkasat dhe organet e brendshme i nënshtrohen inspektimit post-mortem menjëherë pas therjes nga inspektori veterinar, i cili vulos mishin nëse përmbush standardet për konsum. Për muajin shkurt 2023 janë lëshuar në total 𝟑𝟕𝟕𝟒 𝐜𝐞𝐫𝐭𝐢𝐟𝐢𝐤𝐚𝐭𝐚 𝐦𝐢𝐬𝐡𝐢.
Secila prej thertoreve ka një kod unik, gjë që bën të mundur gjurmueshmërinë e mishit. Qytetarët duhet t’i kërkojnë pikës së tregtimit shenjën e vulës zyrtare të AKVMB në mish, për të pasur garanci në produktin që konsumojnë. Në raste abuzimi nga njësitë e tregtimit të mishit, denonconi në 𝗻𝐮𝐦𝐫𝐢𝗻 𝗲 𝐠𝐣𝐞𝐥𝐛𝐞̈𝐫-𝟎𝟖𝟎𝟎𝟑𝟑𝟔𝟔!