“Essenti” nisi si një sipërmarrje aksidentale, ndërsa sot është eksportuese e vajrave të lavenderit përtej kufijve. Merita Prrenjasi, inxhinierja e hidroteknikës, para 8 vitesh, kishte si qëllim të vetëm që të kujdesej për pronat e ullishtës së stërgjyshërve, ndërsa tani sipërfaqen prej 4 ha e shfrytëzon për kultivimin e lavenderit dhe prodhimin e vajrave kozmetikë.
“Mbollëm lavender për të mbrojtur ullishtën e stërgjyshit në Krujë nga gjarpërinjtë. Bima u rrit shumë dhe menduam që ta korrnim për shitje. Para 8 vitesh aplikova në një projekt të qeverisë Rama, i cili quhej ‘Edhe unë kam një ëndërr’. Dola fituese dhe shtova sipërfaqen e kultivuar. Që prej asaj dite, nuk hoqa dorë kurrë dhe produktet tona, me bazë lavenderi i eksportojmë edhe në Zvicër”, rrëfehet Merita.