Mbrojtja e Bimëve
Mbrojtja e bimëve në Shqipëri si veprimtari shkencore, didaktike dhe si shërbim i përket kryesisht periudhës që prej themelimit të Institutit të Lartë Shtetëror të Bujqësisë ILSHB deri në ditët e sotme. Lënda e Mbrojtjes së Bimëve filloi të zhvillohej në kursin e tretë të Fakultetit të Agronomisë dhe pikërisht në vitin shkollor 1953-1954. Në këtë periudhë nuk egzistonte laborator dhe pajisjet përkatëse për mbrojtjen e bimëve, kështu që praktikat zhvilloheshin vetëm në terren në zonën e Tiranës, duke shfrytëzuar periudhat e ndryshme dhe momentet më të përshtatshme për gjetjen dhe përcaktimin e parazitëve. Në vitin 1954-1955 meqënëse mungonin tekstet shkollore në gjuhën shqipe, u përkthyen nga gjuha ruse “Entomologjia bujqësore” e G. J. Bei-Bienko si dhe “Sëmundjet e bimëve bujqësore” e N. A. Naumov”. Gjatë vitit 1956 u krijua edhe laboratori i parë i mbrojtjes së bimëve, ndersa Katedra e mbrojtjes së bimëve u ngrit më 1964 ku mban lidhje të ngushta me ekonomitë e prodhimit duke ndihmuar në organizimin e masave të luftimit kundër parazitëve. Tekstet e para u punuan në vitin 1963 “Entomologjia bujqësore” – pjesa e përgjithshme dhe më 1966 “Fitopatologjia bujqësore” – pjesa e përgjithshme. Gjatë viteve 1971-1972 dolën tekstet e plota në formë dispense për lëndët e entomologjisë dhe fitopatologjisë bujqësore. Studimet e para të bëra në fushën e mbrojtjes së bimëve janë problemet e biologjisë të buburrecit të patates Leptinotarsa decemlineata dhe masat e luftimit kundër këtij dëmtuesi. Më pas u studjuan bimët e familjes Solanaceae që dëmtohen në vendin tonë dhe u përcaktuan edhe masat e luftimit më të përshtatshme për kushtet tona etj.
Pas viteve ‘90 procesi i transformimit (privatizimit) të bujqësisë në mënyrë graduale filloi të gjallërohet në prodhimin e vogël familjar për nevojat e ushqimeve më të rëndësishme të familjes, kryesisht në perime. Si rezultat në vitet e para të pasreformës veprimtaria e Shërbimit të Mbrojtjes së Bimëve u rregullua me Ligjin nr. 7662, datë 19.1.1993 “Për Shërbimin e Mbrojtjes së Bimëve”, i cili funksionoj deri në vitin 2005 ku do shfuqizohej me Ligjin Nr. 9362, datë 24.3.2005 “Për shërbimin e mbrojtjes së bimëve”.
Monitorimi i parazitëve karantinorë dhe përcaktimi i statusit të tyre bëhej nga Instituti i Mbrojtjes së Bimëve si institucioni kërkimor shkencor dhe referencë kombëtare në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.
Forcimi i rregullave për mbrojtjen e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera nga dëmtuesit, si dhe për parandalimin e hyrjes dhe përhapjen e dëmtuesve karantinorë dhe jokarantinorë në territorin e Republikës së Shqipërisë solli domosdoshmerinë e miratimit të një ligji të ri për mbrojtjen e bimëve sic është ligji Nr. 105/2016 “Për mbrojtjen e bimeve” duke shfuqizuar ligjin e vitit 2005. Ky shërbim deri në vitin 2018 kryheshe nga 13 drejtori bujqësie, më pas u bë organizim i ri duke krijuar agjenci rajonale të shërbimit veterinar dhe mbrojtjes së bimëve (ARSHVMB), në varësi të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë, me seli në Shkodër, Tiranë, Vlorë dhe Elbasan.
Zhvillimi i mëtejshëm i bujqësisë kërkonte që mbrojtja e bimëve të fuqizohej për të siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve dhe interesave të konsumatorit nëpërmjet garantimit të sigurisë ushqimore përgjatë të gjithë zinxhirit ushqimor nga ferma në tavolinë dhe për këtë në Shtator të vitit 2020 u riorganizua Shërbimi i mbrojtjes së Bimeve si një i tërë, përmes ngritjes së strukturës së re të Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes të Bimëve (AKVMB).
Sot, mund të pranohet se Mbrojtja e Bimëve përbën një fushë me zhvillime mjaft cilësore duke ndikuar në shtimin e eksporteve shqiptare në vendet e BE-së dhe në tregun ndërkombëtar. Mbrojtja e shëndetit të bimëve, nëpërmjet forcimit të masave fitosanitare për dëmtuesit karantinor, kufizimit të efekteve negative ekonomike nëpërmjet zbatimit korrekt të masave fitosanitare për dëmtuesit jo karantinorë, forcimin e sistemit të gjurmueshmërisë, bën të mundur rritjen e sigurisë ushqimore e cila shërben mjaft për të sotmen dhe të ardhmen.