Adresa

Rruga “Jordan Misja”, pallati 141/1, shkalla 1, kati 2, Tiranë

Regjistri i Fermerit dokumenti që garanton gjurmueshmërinë e prodhimit

Regjistri i Fermerit është instrumenti i ri në dorë të fermerëve tanë për të mundësuar protokolle dhe gjurmueshmëri të prodhimit cilësor bujqësor për konsumatorët, për të qenë më të sigurt në tregun vendas dhe ndërkombëtar.

Regjistrimi i të dhënave për produktet e mbrojtjes së bimëve (PMB) të përdorura në fermë si dhe numri e data e spërkatjes apo intervalet e sigurisë, janë protokolle absolutisht thelbësore për konsumatorët mbi sigurinë ushqimore të produkteve bimore fundore, për sigurinë e shëndetit të fermerëve, për mbrojtjen e mjedisit si dhe rritjen e besueshmërisë së eksporteve shqiptare.

Të gjitha këto janë parashikuar në hartimin e regjistrit të fermerit për një përdorim të qëndrueshëm të PMB-ve, në varësi të kulturave bimore duke shënuar datat e trajtimit, fazat fenologjike të bimës, emrin tregtar të PMB-së duke cilësuar edhe lëndën aktive, emrin e farmacisë bujqësore apo pikës së tregtimit, sipërfaqen e trajtuar dhe dozën e përdorimit referuar etiketës, arsyen e përdorimit sipas parazitit ose shkakut të përdorimit.

Këto të dhëna na sigurojnë gjurmueshmëri dhe përgjegjshmëri në prodhimin e tokës sonë në zinxhirin e plotë furnizues.

Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve është në terren për të asistuar fermerët tanë me këtë plan të ri. Çdo ditë inspektorët e Mbrojtjes së Bimëve të 4 Drejtorive Rajonale të AKVMB-së janë në terren për të shpërndarë Regjistrin tek ata fermerë që kanë si qëllim nxjerrjen e produkteve bujqësore në treg. Në total numërohen 10 mijë regjistra që pritet të shpërndahen.