Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve funksionon në bazë të VKM-së Nr. 683, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve”, datë 02.09.2020.
AKVMB u krijua në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” dhe të nenit 128, të ligjit nr.10465 datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Këshillit të Ministrave.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në vijim AKVMB, është institucion në varësi të ministrit përgjegjës për veterinarinë, në vijim Ministri, me seli në Tiranë. AKVMB-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme.
Misioni i këtij institucioni është të garantojë mbrojtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve, mbrojtjen e shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë nga sëmundjet zoonotike të transmetueshme nga kafshët dhe mbrojtjen e bimëve, nëpërmjet drejtimit të veprimtarisë së kontrollit zyrtar dhe veprimtarive të tjera veterinare brenda fushës së përgjegjësisë dhe ofrimit të shërbimit të mbrojtjes së bimëve nga dëmtuesit dhe sëmundjet.
AKVMB-ja e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e vendit dhe ka fushë përgjegjësie shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin e bimëve. AKVMB-ja ka përgjegjësi të drejtojë shërbimin veterinar brenda fushës së përgjegjësisë; të organizojë punën për kryerjen e kontrolleve zyrtare dhe veprimtaritë e tjera veterinare dhe të organizojë punën për ofrimin e kontrollit dhe shërbimit të mbrojtjes së bimëve nga dëmtuesit.