“Ndryshimi i vizionit veterinar drejt zhvillimit të sektorit të blegtorisë”, ishte tema e trajnimit dyditor të zhvilluar në Vlorë, me rreth 30 veterinerë të AKVMB.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka në fokus të saj modifikimin e plan-programeve të trajnimeve të stafit veterinar, në mënyrë që t’i jepet theks mjekësisë parandaluese mbi zoonozat dhe zhvillimin e blegtorisë.
Për të kryer misionin e tyre në mënyrë efektive, Shërbimi Veterinar ka nevojë për një numër adekuat të stafit të kualifikuar, që punojnë me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm të lartë dhe për pasojë lind nevoja që veterinerët e rinj, të mund të shkëmbejnë informacion mbi shërbime inovative, qasjeve dhe sfidave të veterinarisë.
Paralelisht me rritjen e kapaciteteve profesionale, në fokus të trajnimit ishte edhe identifikimi i ideve të reja për sipërmarrjen në fushën e blegtorisë dhe veterinarisë. Në fund të trajnimit, veterinerët vizituan edhe një fermë gjedhi, e identifikuar si një sipërmarrje e suksesshme.