PARIMET E PËRGJITHSHME TË MENAXHIMIT TË INTEGRUAR TË PARAZITËVE

  1. Parandalimi dhe/ose kontrolli i organizmave të dëmshëm duhet të arrihet ose të mbështetet në metodat e tjera, sidomos te: 
  • qarkullimi i kulturave; 
  • përdorimi i teknikave të duhura të kultivimit (p.sh. teknika e mbjelljes së farës, afatet e mbjelljes dhe densiteti, mbjellja nëntokësore, kultivimi i konservimit, krasitja dhe mbjellja e drejtpërdrejtë); 
  • përdorimi, sipas rastit, i kultivarëve rezistentë/tolerantë dhe farave e materialit mbjellës standard/të certifikuar; 
  • përdorimi i praktikave të plehërimit të balancuar, gëlqerëzimit dhe praktikave të ujitjes/kullimit; 
  • parandalimi i përhapjes së organizmave të dëmshëm me masa higjienike (p.sh. me pastrim të rregullt të makinerive dhe pajisjeve bujqësore); 
  • mbrojtja dhe rritja e organizmave të dobishëm, p.sh. masat e duhura për mbrojtjen e bimëve ose shfrytëzimi i infrastrukturave ekologjike brenda dhe jashtë mjediseve të prodhimit. 
  1. Organizmat e dëmshëm duhet të monitorohen me metodat dhe mjetet e duhura, kur është e mundur. Mjete të tilla të përshtatshme duhet të përfshijnë vrojtime në terren, si dhe paralajmërime shkencore, parashikime dhe sisteme të diagnozës së hershme, kur është e mundur, si dhe përdorimin e këshillave nga këshilluesit profesionalisht të kualifikuar. 
  1. Bazuar në rezultatet e monitorimit, përdoruesi profesionist duhet të vendosë nëse dhe kur duhet të aplikohen masat për mbrojtjen e bimëve. Vlerat e pragut të qëndrueshëm dhe shkencor janë elemente thelbësore për vendimmarrje. Për organizmat e dëmshëm, nivelet e pragjeve të përcaktuara për rajonin, zonat specifike, kulturat dhe kushtet e veçanta klimatike duhet të merren parasysh para trajtimeve, aty ku është e mundur. 
  1. Metodat e qëndrueshme biologjike, fizike dhe të tjera jokimike duhet të preferohen ndaj metodave kimike, nëse ato sigurojnë një kontroll të kënaqshëm të parazitëve. 
  1. PMB-të e aplikuara duhet të jenë sa më specifike për objektivin dhe duhet të kenë efekte më të pakta anësore në shëndetin e njeriut, organizmat jo të synuar dhe mjedisin. 
  1. Përdoruesi profesionist duhet të mbajë përdorimin e PMB-ve dhe të formave të tjera të ndërhyrjes në nivele të domosdoshme, p.sh. me dozë të reduktuar, numër të reduktuar të aplikimeve ose aplikime të pjesshme, duke marrë parasysh se niveli i rrezikut në vegjetacion është i pranueshëm dhe nuk rrit rrezikun e zhvillimit të rezistencës në popullatën e organizmave të dëmshëm. 
  1. Kur dihet rreziku i rezistencës në mbrojtjen e bimëve dhe ku niveli i organizmave të dëmshëm kërkon aplikim të përsëritur të PMB-ve te kulturat, duhet të zbatohen strategjitë antirezistente në dispozicion për të ruajtur efektivitetin e PMB-ve. Kjo mund të përfshijë përdorimin e PMB-ve të shumta me mënyra të ndryshme veprimi. 
  2. Duke u bazuar në shënimet për përdorimin e PMB-ve dhe në monitorimin e organizmave të dëmshëm, përdoruesi profesionist duhet të kontrollojë suksesin e masave të aplikuara për mbrojtjen e bimëve.