PAJISJA ME CERTIFIKATË FITOSANITARE

“Certifikatë fitosanitare “, “certifikatë fitosanitare e rieksportit” e “certifikatë fitosanitare e brendshme” përgatiten dhe shpërndahen nga sektorët e mbrojtjes së bimëve pranë Drejtorive Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes sëBimëve.

Certifikatë fitosanitare ose certifikatë fitosanitare e rieksportit duhet të përmbajnë informacionin, sipas modelit të Konventës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Bimëve, dhe duhet të jenë lëshuar nga autoriteti zyrtar i vendit eksportues/rieksportues. Certifikata duhet të jetë modeluar në të paktën njërën prej gjuhëve zyrtare të Komunitetit Europian. Emri botanik i bimës/bimëve duhet të jetë në gjuhën latine.

Bimët, produktet bimore dhe objekte të tjera, të parashikuara në këtë vendim, për të cilat shteti importues parashikon kërkesa të veçanta, duhet të jenë të shoqëruara me dokumentet e mëposhtme:

  • certifikatë fitosanitare, për ngarkesat me origjinë nga Shqipëria;
  • certifikatë fitosanitare rieksporti dhe certifikatë fitosanitare të vendit të origjinës, për ngarkesat jo me origjinë nga Shqipëria kur malli është ndarë në disa destinacione, është magazinuar ose është riambalazhuar.

Certifikatë fitosanitare dhe certifikatë fitosanitare rieksporti lëshohen pas kontrollit, kur gjykohet nga specialisti se ngarkesa i plotëson të gjitha kërkesat e veçanta të përcaktuara nga shteti importues.  

Eksportuesit e bimëve, të produkteve bimore apo të objekteve të tjera të parashikuara në këtë vendim, janë të detyruar të njoftojnë 48 (dyzet e tetë) orë para nisjes së ngarkesës për eksport, shërbimin e mbrojtjes së bimëve pranë DRVMB-së, përgjegjëse për territorin nga është origjina e ngarkesës, për përmbajtjen, prodhuesin, destinacionin dhe specifikime të tjera që mund t’u kërkohen për kryerjen e kontrollit fitosanitar dhe pajisjen me certifikatë fitosanitare të ngarkesës që do të eksportohet

  • Korrigjimet apo ndryshimet e bëjnë të pavlefshme një certifikatë fitosanitare. Origjinali dhe kopja e një certifikatë fitosanitare dallohen nga fjalët “Original” ose “Copy” (Duplicate), të stampuara në të.
  • Certifikatë fitosanitare ose certifikatë fitosanitare e rieksportit duhet të jenë lëshuar nga autoriteti fitosanitar zyrtar i vendit të origjinës apo i vendit rieksportues jo më parë se 14 (katërmbëdhjetë) ditë nga çasti kur bimët, produktet bimore apo objektet e tjera i nënshtrohen inspektimit fitosanitar në pikat doganore të daljes. Zgjatja e këtij afati bëhet duke llogaritur kohën në rastet kur ngarkesat me bimë, produkte bimore ose objekte të tjera transportohen me rrugë detare nga vende të largëta të origjinës. Gjithsesi, ndërmjet datës së nxjerrjes së certifikatës fitosanitare të vendit të origjinës dhe datës së ngarkimit, nuk duhet të kalojnë më shumë se 14 (katërmbëdhjetë) ditë