Menaxhimi i integruar e dëmtuesve është një teori dhe praktikë e cila mbështet kryesisht tek masat jo kimike, ato agroteknike dhe parandaluese. Për të pakësuar rezervën biologjike të dëmtuesve në serra, përdoren dy masa të rëndësishme: diellëzimi i serrave në korrik dhe kompostimi i mbetjeve bimore pas shkuljes së bimëve. AKVMB duke patur mision të saj mbrojtjen e shëndetit të bimëve, inkurajon fermerët dhe organet e qeverisjes vendore për administrimin e mbetjeve bimore me kompostim, një praktikë kjo që minimizon përhapjen e infeksioneve të dëmtuesve bimorë.
𝑴𝒆𝒏𝒂𝒙𝒉𝒊𝒎𝒊 𝒊 𝒎𝒃𝒆𝒕𝒋𝒆𝒗𝒆 𝒕𝒆̈ 𝒔𝒆𝒓𝒓𝒂𝒗𝒆
Pas përfundimit të ciklit të vjeljes, seleksionimit dhe tregtimit të perimeve, mbetet një masë e madhe mbetjesh bimore, të cilat nëse hidhen pa kujdes bëhen burim për ndotjen e ambientit dhe shpërndarjen e infeksioneve të dëmtuesve të bimëve. Këto mbetje bimore mbartin sëmundje dhe dëmtues, që në rast se nuk trajtohen bëhen burim infeksioni në kulturat që do të mbillen në vazhdim, apo përhapjen e infeksionit në serrat e tjera. Edhe djegia e tyre është praktikë e gabuar pasi dëmton mikroorganizmat në horizontin e sipërm të tokës.
Rruga e vetme e trajtimit është riciklimi nëpërmjet kompostimit dhe produkti i përftuar nga kompostimi ka karakteristika të mira agronomike, është miqësor me mjedisin dhe mund të përdoret si pleh organik te perimet, drufrutorët, kopshtet, etj.
Në aspektin e masave fitosanitare ka rëndësi të veçantë, pasi gjatë procesit të kompostimit temperaturat shkojnë deri në 70-75 gradë C, mbetjet bimore të serrave përmbajnë pjesë të organeve riprodhuese të dëmtuesve të bimëve, të cilat shkatërrohen gjatë procesit të kompostimit.
Në temperatura të tilla ndodh fenomeni i “vetë-sterilizimit” të masës, me eliminimin e patogjenëve, farave të barërave të këqija dhe rënien e ngarkesës mikrobike dhe virusale. Kjo kërkon që kompostimi të bëhet nga secili fermer në pronën e tij, duke shmangur hedhjen e tyre anës rrugëve dhe kanaleve.
Bashkia Roskovec ka ndërmarrë veprime të posaçme për kompostimin e mbetjeve bimore në territorin e saj, duke krijuar landfill për manipulimin e tyre, deri në prodhimin e plehut organik.