Jemi futur në fazën e qetësisë dimërore dhe në pemëtari kryhen punimet dimërore, ku një vend të rëndësishëm në shëndetin e bimëve zënë masat agroteknike dhe trajtimet stinore. Fazat dimëruese të sëmundjeve dhe dëmtuesve dimërojnë në kurorë të pemëve, në fruta të kalbur dhe në gjethe. Sipas ekspertëve të Mbrojtjes së Bimëve në AKVMB duhet të kihet parasysh kryerja korrekte e masave agroteknike.
Rëndësi e veçantë të tregohet në krasitjen e pemëve; të eliminohen degët e thyera dhe të infektuara; të eliminohen frutat e mbetura në pemë, gjethet etj, të cilat janë praktika që ndikojnë në mbrojtjen e bimëve. Vlerësimi i këtyre masave ndihmon dhe rrit efektivitetin e përdorimit të preparative kimike si gjatë dimrit por edhe në vegjetacion. Kryerja e dy trajtimeve dimërore siguron mbrojtje dhe vegjetacion të pastër në pranverë.
Trajtimet luftojnë fazat dimëruse të sëmundjeve dhe dëmtuesve, duke pakësuar ndjeshëm rezervën biologjike të tyre për fazën e vegjetacionit. Trajtimet të bëhen në të gjitha pemët frutore dhe kategoritë e tjera, vreshtë, ullinj dhe agrume. Spërkatja duhet të realizohet në mot të mirë, pa erë dhe me temperatura mbi 10 °C.
Mos aplikimi i spërkatjes dimërore ose kryerja jo cilësore, nuk mund të korrigjohet në pranverë. Këshillat për përdorimin e PMB-ve për trajtimet dimrore duhet ti merrni nga specialisti që ju këshillon, ndërkohë që PMB-të që do të përdoren duhet të jenë të regjistruara në listën e MBZHR, duke ndjekur me kujdes çdo udhëzim të etiketës së produktit.